E Diel, 1 Nëntor 2026

Shabani takon kreun e Kushtetueses së Kosovës: Vendimmarrjet tuaja, model për funksionimin e shtetit ligjor

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani u prit, gjatë vizitës zyrtare, nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi.

Në qendër të këtij takimi ishte diskutimi mbi rëndësinë e kontrollit kushtetues dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.

Shabani vuri theksin tek roli thelbësor që ka bashkëveprimi mes institucioneve të të drejtave të njeriut dhe atyre të drejtësisë kushtetuese, si garancia e fundit për mbrojtjen e shtetit të së drejtës.

Avokati i Popullit i Shqipërisë vlerësoi veçanërisht rolin e rëndësishëm që Gjykata Kushtetuese ka luajtur në ruajtjen e balancave kushtetuese në Kosovë.

Në cilësinë e presidentit të Organizatës së Avokatëve të Popullit të Mesdheut (AOM),  Shabani theksoi se “vendimmarrjet e gjykatës për mbrojtjen e ekuilibrit mes pushteteve kanë treguar një standard të lartë pavarësie, duke shërbyer si një model pozitiv për të gjithë rajonin”.

Ky takim rikonfirmon angazhimin e Avokatit të Popullit për të thelluar bashkëpunimin me synim mbrojtjen e të drejtave të njeriut edhe në çështjet ndërkufitare të cilat përfshijnë institucionet e të dyja shteteve.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›