E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shehaj nga Kamza: Kandidatët tanë ia kanë dalë vetë me punë të ndershme

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, u prit ditën e sotme nga qindra qytetarë të Kamzës ndërsa paraqiti kandidatët e qarkut të Tiranës.

Në fjalën e tij, Shehaj tha se pritshmëritë e forcës së tij politike janë rritur ndjeshëm, pasi sondazhet e nxjerrin forcë të tretë në vend, por nuk do të jetë çudi që në ndonjë qark “Mundësia” të renditet edhe si forcë e dytë.

“Nëse pritshmëria jonë në fillim ishte të merrnin 10% të votave, tani po na shtohet oreksi dhe po rrisim edhe pritshmëritë. Është një arritje për ne si parti e re që të hyjmë në Parlamentin e ardhshëm me një grup parlamentar”, u shpreh ai.

Shehaj tha se kandidatët e “Mundësisë” janë njerëz që ia kanë dalë vetë falë punës së ndershme.

Gjithashtu, Shehaj siguroi mbështetësit e partisë së tij se asnjë votë nuk do preket, pasi “Mundësia” do të ketë vëzhguesit e saj në çdo qendër votimi.

“Ju dëgjoni si ka një grup jo të vogël mendimtarësh që thonë se të gjithë të rinjtë kanë dështuar. Por, kjo është e reja. Çdo gjë që ndodh për herë të parë, ka dështuar para se të ndodhte. S’mund të ikim me idenë se të gjithë ata që kanë provuar, kanë dështuar. Duan të na bindin se s’ka ndryshim tjetër veç PS e PD? Unë jam mësuar të më thonë “nuk do ia dalësh”, por kjo më ka ndihmuar akoma më shumë të ngul këmbë”, tha Shehaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›