Rama: “Garancia për Fëmijët” i krijuar mbi modelin e BE-së, në programin qeverisës

TIRANË, 18 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njëherazi kryetar i PS-së, gjatë takimit elektoral për zgjedhjet e 11 majit, që zhvilloi me banorët e Njësisë 6, Kashar në Tiranë, tha se “me mbështetjen e BE-së, ne do të arrijmë të mbështesim 100 mijë fëmijë që kanë nevoja të ndryshme”.
“BE ka shumë financime, shumë solidaritet, ka shumë mundësi, ka shumë financime për fëmijët dhe për të rejat dhe të rinjtë. Ne kemi në programin qeverisës në mandatin e 4-të, një instrument të ri që quhet “Garancia për Fëmijët” i krijuar mbi modelin e BE-së dhe praktikisht edhe me mbështetjen e BE-së, për të cilën jemi dakordësuar, ne do të arrijmë të mbështesim 100 mijë fëmijë”, tha Rama.
Sipas tij, sot Shqipëria po përparon dhe shënon rezultate pozitive në fushën e teknologjisë, ndërsa shumë të rinj të talentuar kanë ecur përpara në këtë drejtim.
“Qeveria ka një program të veçantë që i mbështetet startupe-t, por në momentin që ne bëhemi anëtarë të BE, 10-fishohet mbështetja financiare për të rinjtë në fushën e teknologjisë”, tha Rama. /j.p/