E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Manastirliu nga Kombinati: Nuk ka forcë tjetër politike përveç PS që e çon Shqipërinë përpara

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Drejtuesja politike e qarkut të Tiranës për Partinë Socialiste, njëherazi edhe kandidatja për deputete në listën e mbyllur për këtë qark u shpreh sot nga takimi me komunitetin e njësive Kashar, Kombinat dhe Astir, se vota në 11 maj duhet investuar për PS dhe Shqipërinë 2030 në BE.

Në takimin, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri, njëherësh edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, Manastirliu u shpreh se po punohet për fitoren e dhjetë të PS në zgjedhjet e 11 majit.

“Kombinati u prek nga tërmeti, por për infrastrukturën arsimore investimet nuk kanë reshtur. Kombinati sot është një ndër ato zona ku shkollat e reja do të fillojnë menjëherë, Kashar me dy shkollat e reja, shkollën e mesme dhe kopshtin e Kasharit e kemi premtuar sepse ajo ku ne po investojmë është e ardhmja evropiane e fëmijëve tanë”, tha ajo.

Manastirliu u shpreh gjatë fjalës së saj në podium, se nuk ka forcë tjetër politike përveç PS që e çon Shqipërinë përpara, me vizionin e Edi Ramës, punën e ekipit të qeverisë dhe PS-në.

“Ne do të vijojmë të punojmë për gjithë Tiranën, për Shqipërinë për ta çuar Shqipërinë 2030 në BE dhe është përmes energjisë dhe forcës së të rinjve, investimit të votës së tyre ku ne presim të kemi një mbështetje të madhe, të plotë për të treguar me zë të fortë që Shqipëria është për BE dhe pasaporta evropiane për çdo shqiptar është një mundësi më shumë, si një status i cili do të garantojë shanse të barabarta me çdo qytetar evropian”, u shpreh Manastirliu, teksa theksoi se në Shqipëri do të vazhdojë të ketë më shumë investime në infrastrukturë, bujqësi dhe sektorë të tjerë.

“Do të vijojmë progresin dhe ne nuk duhet të kthehemi prapa, me gjithë mbështetjen që Kombinati, Astiri dhe Kashari do t’i japin PS- së, nde do t’ia dalim që Tirana të jetë lokomotiva e fitores”, pohoi Manastirliu.

Drejtuesja politike e qarkut Tiranë, kërkoi nga mbështetësit e PS-së që në dy javët e mbetura të takohet çdo njeri, për të fituar çdo zemër dhe për të votuar numrin 5 dhe Partinë Socialiste. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›