Shërbimi Gjeologjik: Shkak i rrëshqitjes mbingopja nga reshjet, trefish më të larta se vitet e shkuara

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Kreu i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, Ardian Bylyku tha sot, gjatë një konference për mediet, se rrëshqitja e dheut dhe, për pasojë, dëmtimi i aksit rrugor Librazhd–Përrenjas ka ardhur si rezultat i reshjeve të shumta, të cilat kanë krijuar mbingopje me ujë në zonë.
Sipas tij, gjatë periudhës dhjetor 2025 – shkurt 2026, sasia e reshjeve të regjistruara në zonën ku ka ndodhur rrëshqitja e dheut ka qenë trefish më e lartë krahasuar me vitet e mëparshme.
Bylyku bëri të ditur se ekipet e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar ndodhen në terren që prej momentit të parë në zonën e prekur.
“Puna ka nisur që prej ditës së shtunë. Janë kryer matjet dhe monitorimi fillestar, duke vijuar më tej me analizën e fakteve. Zona e ashtuquajtur ‘Arrat e Gurrës’ përbëhet nga shkëmbinj copëzorë, inerte, të njohur si ‘molasa’, të cilët kanë tendencë, në raste reshjesh të shumta, të akumulojnë sasi të konsiderueshme uji. Edhe pse zona ka pjesën e vet të drenimit, duhet theksuar se nga dhjetori 2025 deri në shkurt 2026, më saktësisht deri javën e kaluar, sasia e reshjeve ka qenë trefish më e lartë se në vitet e mëparshme. Kjo ka krijuar mbingopje të strukturave dhe veçanërisht në një shtresë si kjo me formë hinke, duke sjellë si pasojë rrëshqitjen e dheut, duke dëmtuar infrastrukturën me të”, u shpreh Bylyku.
Sipas tij, “Shërbimi Gjeologjik po vijon me studimin e thelluar dhe do të paraqesë rekomandimet përkatëse, të bazuara në interpretimin e rezultateve nga 480–500 metra linearë shpime, që do të realizohen në zonë, që do të vendosen ngaekspertët, si dhe kryerjen e analizave fiziko-mekanike dhe marrjen e kampioneve. Falë kësaj pune, përmes marrjes së rezultateve dhe analizës së rezultateve, do të përcaktohen edhe rekomandimet, edhe mënyra se si do të vijohet me trajtimin e kësaj situate”.
/a.f/r.e/