Verdho: Shembja e Librazhd-Përrenjas nga shirat e dendur dhe rritja e prurjeve të lumit Shkumbin

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Administratori i kompanisë “Hekurudha Shqiptare”, Ergys Verdho deklaroi sot se shembja e rrugës Librazhd-Përrenjas dhe i hekurudhës që ndodhet aty pranë, erdhi si pasojë e reshjeve të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin.
Në një konferencë për shtyp, lidhur me dëmtimin dhe bllokimin e aksit Librazhd-Pogradec, Verdho tha se “segmenti hekurudhor Elbasan-Pogradec ndodhet në këtë fazë të projektit të detajuar me gradën WPF. E gjithë linja ka që në 2012 që nuk përfshihet nga operimi dhe monitorohet herë pas here nga drejtuesit e linjës që bëjnë raport mujor në Drejtorinë e Infrastrukturës”.
“Pranë Dragostunjës pjesë e këtij segmenti si pasojë reshjeve të dendura të shiut dhe rritjes së lumit Shkumbin kemi pasur problematika të shtuara në këtë kilometër. Masivi i asaj zone ka rrëshqitje që është aktivizuar 30 vjet përpara. Ky masiv i ngarkuar nga shirat e 4 muajve të fundit bëri të mundur nga shumë faktorë të ndryshëm, si dhe lumi Shkumbin në rritje të shtratit dhe përplasjes me shpatullën e hekurudhës bëri të mundur planin e rrëshqitjes”, nënvizoi Verdho.
Sipas tij, të gjitha struktura janë në terren dhe kanë marrë masat e nevojshme.
“Konsulentët tanë të përhershëm dhe ata të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit janë prezentë për të zgjidhur problematikën. Do marrim hapat tona të krijimit të asaj rruge permanente për pjesën e shtratit lumor të lumit Shkumbin për mobilizimin dhe mënjanimin e ujërave në atë shpat duke bërë prita në Shkumbin. Shpresojmë që shirat të na ndihmojnë mos të jenë prezentë në kohën që ne po operojmë”, tha Verdho.
Verdho u shpreh se “lehtësimi i shpatit të malit është shumë i nevojshëm dhe kthimi në një skarpatë natyrale e gjithë zonës për të mos t’u përfshirë në pjesën e planit të rrëshqitjes”.
“Sistemimi i zonës për futjen e sondave do na japin planet tërthore dhe sekuenciale të pjesës së gjeologjisë, ku në studimet gjeologjike ne do të përftojmë koeficientin e fërkimit, sigmën, planin e rrëshqitjes, të gjithë këto elementë që ne do të na duhen për të projektuar rrugën e re provizore, apo rrugën e re të Korridorit VIII”, tha Verdho.
/k.s/r.e/