Sherri mes adoleshentëve në Kamzë, dy 16-vjeçarët lihen në burg

Gjykata e Tiranës ka dhënë masat e sigurisë për dy 16-vjeçarët e përfshirë në sherrin e ndodhur pranë gjimnazit “Ibrahim Rugova”, ku tre adoleshentë mbetën të plagosur me thikë.
Njërit prej të miturve, i cili dyshohet se ka qenë autori kryesor i plagosjes, iu caktua masa e arrestit në burg pa afat, ndërsa për të dytin, që sipas mbrojtjes ka ndërhyrë për të ndarë sherrin, gjykata vendosi arrest në burg me afat njëmujor, pasi edhe ai vet ka marrë lëndime. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të moshës së të miturve.
Arma e krimit që dyshohet të jetë një thikë, ende nuk është gjetur. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në një fast-food pranë shkollës, ku një debat banal për “shikime tendencioze” u përshkallëzua në përplasje fizike.
Pesë adoleshentë morën pjesë në sherrin që përfundoi me tre të plagosur dhe dy të arrestuar. Njëri prej të lënduarve ndodhet në kujdesin e mjekëve dhe raportet tregojnë se është në gjendje të qëndrueshme, ndërsa dy të tjerët kanë marrë dëmtime më të lehta.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/