E Diel, 1 Nëntor 2026

Shirat pengojnë mbjelljet në Përmet – Sipërfaqet e kultivuara përgjysmohen

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vonesa të konsiderueshme në mbjelljet sezonale në zonën e Përmetit. Sipas agronomit Robert Stefanidhi, sipërfaqet e mbjella këtë vit janë përgjysmuar krahasuar me vitin e kaluar.

“Për momentin situata është më e vështirë se vitet e tjera sepse ka pasur reshje të shumta të cilat kanë ndikuar negativisht si për punimin, kullimin e arave etj. Mbjellja e grurit është pak më poshtë se vitet e tjera sepse lagështira ka bërë punën e saj”, u shpreh Stefanidhi.

Stefanidhi u bën thirrje fermerëve që planifikojnë të kultivojnë kulturat sezonale të tregojnë kujdes të shtuar në trajtimin e tokës.

“Ndikon punimi i mirë, hedhja e plehut të duhur, superfosfatit i cili është bazë për të mbjellat”, tha ai.

Në zonën e Përmetit ka një numër të konsiderueshëm fermerësh që kultivojnë kryesisht grurë, tërshërë, elb dhe kultura të tjera bazë, të cilat këtë vit rrezikojnë të kenë prodhim më të ulët për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›