Shisnin armë zjarri në zona të ndryshme të kryeqytetit, Policia e Tiranës arreston 3 persona

Tre pjesëtarë të një grupi kriminal që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës u vunë në pranga nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Anëtarët”, pas tre muajsh hetimesh.
Të arrestuarit janë:
I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje;
A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mashtrim;
A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar për plagosje të rëndë me dashje.
Gjithashtu, në kërkim është shpallur E. S., 28 vjeç, i dyshuar si pjesëtar i grupit.
Sipas njoftimit të policisë, A. B. dhe I. Z. u kapën në flagrancë në Tufinë, në tentativë për të shitur dy armë zjarri kallashnikov.
Në total, u sekuestruan 5 armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tufinë dhe Fresk.
“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në Tufinë, shtetasit A. B dhe I. Z., në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk”, thuhet një njoftimin e policisë.
Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në grup ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/