E Premte, 6 Nëntor 2026

Shitja e drogës pranë shkollave, kreu i Policisë ultimatum efektivëve në Lezhë: Dua më shumë përkushtim, të goditen këto raste! (VIDEO)

Siguria në shkolla dhe shitja e lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore kanë qenë në fokus të porosive që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, u dha efektivëve gjatë një vizite në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.

Hita kërkoi më shumë përkushtim nga strukturat policore për të parandaluar dhe goditur rastet e shpërndarjes së drogës pranë shkollave.

 “Siguria në shkolla dhe perimetri i sigurisë në këto institucione janë të pazëvendësueshme. Dua të përkushtoheni më shumë dhe të kërkoni më shumë nga vetja, në mënyrë që rastet e shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, të marrin goditjen e duhur edhe nga ana juaj. Dua që rezultatet e mira që keni arritur të vijojnë dhe të shoqërohen me vëmendje edhe më të shtuar nga të gjithë ju”, theksoi Hita.

Gjatë takimit, kreu i Policisë vlerësoi edhe punën e efektivëve për parandalimin e dy ngjarjeve të rënda kriminale, duke theksuar se janë identifikuar dhe kapur persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët dyshohet se do të vepronin ndaj personave konkretë.

Ai foli edhe për ngjarjen me eksploziv të ndodhur dy ditë më parë në Lezhë, duke deklaruar se është dokumentuar dhe hetimet kanë ecur në drejtimin e duhur.

"“Parandalimi i dy ngjarjeve shumë të rënda kriminale është rezultat i punës, përkushtimit, motivimit dhe vendosmërisë suaj. Keni arritur të identifikoni dhe të kapni persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët dyshohet se do të vepronin ndaj personave konkretë. Edhe ngjarja e ndodhur dy ditë më parë, me lëndë eksplozive në qytetin tuaj, është dokumentuar dhe hetimet kanë ecur në drejtimin e duhur. Të gjitha këto rezultate shërbejnë për të fituar besimin e qytetarëve dhe për të dhënë më të mirën për këtë qytet” tha Hita. 

Në fund, drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muçaj, falënderoi Hitën për mbështetjen me efektivë dhe mjete, duke garantuar vijimin e punës për sigurinë në qark.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›