E Premte, 6 Nëntor 2026

Kontrollet në biznese, Ibrahimaj: Në vitin 2027 synojmë ngritjen e sistemit të ri të inspektimeve! Jo më mbivendosje dhe kontrolle të zgjatura

Qeveria synon të ngrejë gjatë vitit 2027 sistemin e ri të inspektimeve në biznese, për të shmangur mbivendosjen e kontrolleve nga inspektorate të ndryshme dhe për të ulur barrën administrative ndaj sipërmarrjeve.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Denila Ibrahimaj, deklaroi gjatë konferencës së Inspektoratit të Përgjithshëm se reforma synon kalimin nga kontrollet dhe masat ndëshkuese te këshillimi dhe përmbushja vullnetare e detyrimeve ligjore.

“Duam të arrijmë standardet e kërkuara nga BE, por pa i dhënë biznesit një barrë ekstra. Ndaj sistemi i inspektimeve është menduar i tillë që të eliminohen mbivendosjet. Gjatë 2027 synojmë të ngremë sistemin e ri të inspektimeve, i cili do të garantojë akoma më shumë dhe më mirë zbatimin e ligjit. Do të garantojmë të mos kemi mbivendosje apo kontrolle të zgjatura”, tha Ibrahimaj.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se do të hapet një proces i ri dialogu me bizneset për të identifikuar problematikat që hasin gjatë inspektimeve dhe për të përshtatur procedurat me standardet e Bashkimit Evropian.

“Reforma e inspektimeve duhet të jetë e ndikuar nga një proces dialogu me biznesin. Ne do të hapim një tjetër proces dialogu me biznesin, që të diskutojmë mbi ato standarde që po vijnë nga legjislacioni europian. Synojmë të reduktojmë barrën, të identifikojmë pikat problematike që biznesi ka, të analizojmë procedurat e inspektimit dhe të kuptojmë sesi reforma mund të ndryshojë që t’i shërbejë objektivit që kemi, që bashkë me biznesin të punojmë për të pasur konkurrencë më të drejtë, për të mos pasur kosto të fshehura për biznesin dhe për të garantuar standarde”, deklaroi Ibrahimaj.

Lajmi kryesor:

Inspektoriatet jo më kontrolle të befasishme në biznese, Rama: S'mund të shkohet si për të kapur një grup kriminal! Inspektorët do pajisen me kamera inteligjente! Ibrahimaj: Sistemi i ri në 2027

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›