Shkarkimi i Veliajt, Këshilli Bashkiak i Tiranës vendos pasditen e sotme
TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Këshilli Bashkiak i Tiranës, do të vendosë sot, në mbledhjen e orës 16:00 për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025.
Kërkesa për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj u depozituar nga anëtarët socialistë të këshillit bashkiak bazuar në nenin 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili parashikon shkarkimin e një kryebashkiaku nëse ai mungon në detyrë për më shumë se tre muaj pa ndërprerje.
Këshilltarët demokratë të Këshillit Bashkiak të Tiranës do të votojnë pro shkarkimit por janë të mendimit që Veliaj të jetë i pranishëm në mbledhjen e thirrur për shkarkimin e tij.
Në mbledhjen e ditës së sotme të Komisionit të Çështjeve Ligjore pranë bashkisë së Tiranës u shqyrtua kërkesa e Veliajt për të marrë pjesë në mbledhje. Në mbledhje ka pasur debate mes mazhorancës e opozitës pasi kërkesa e këshilltarëve të PD-së që Veliaj të jetë i pranishëm në seancën e pasdites dhe të dëgjohet nuk ishin përfshirë në rend dite
Këshilltarët demokratë kujtuan që shkarkimi i Veliajt u kërkua prej tyre pas tre muajsh nga arrestimi i kryebashkiakut. Pas përfundimit të Komisionit të Ligjeve, këshilltari bashkiak nga PD, Dorian Teliti theksoi edhe njëherë qëndrimin e PD-së se do të bashkojnë votat me PS për të miratuar shkarkimin, por shtoi se Veliaj duhet të dëgjohet në sallë.
“Ne kërkuam që e drejta, edhe e një të burgosuri të dëgjohet, jo më e kryetarit. Fakti që PS insistoi të mos dëgjohet, do jetë nesër një instrument ligjor i Veliajt për të fituar gjyqin. Është e drejta ligjore që të dëgjohet, siç është e drejta jonë t’ia themi në fytyrë korrupsionin e tij”, tha Teliti.
Nga ana tjetër, këshilltari Endrit Shabani argumentoi se nuk ka asnjë arsye pse duhet që të lejohet kryebashkiaku të jetë i pranishëm.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kërkoi të ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës, ku do të votohet për shkarkimin e tij.Në dokumentin e bërë publik të hënën, Veliaj u shpreh se Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka tagër ligjor për të marrë vendime në emër të këshillit, dhe pjesëmarrja e tij është e drejtë e Këshillit për t’u dëgjuar dhe mbrojtur.
Nga ana tjetër, Këshilli ka njoftuar Veliajn se ai nuk mund të marrë pjesë fizikisht, ndërsa mund të paraqesë me shkrim qëndrimet e tij, të cilat do të regjistrohen dhe do të bëhen publike gjatë seancës.
Në rast të një vendimi të këshillit bashkiak për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj, Tirana shkon në zgjedhje të parakohshme.
Mazhoranca socialiste ka paraqitur emrin e Ogerta Manastirliut si kandidate të Partisë Socialiste, në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës.
Duke prezantuar Manastirliun si kandidate gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, Kryeministri Rama e cilësoi situatën në kryeqytet si emergjente, pas 7 muajsh mungesë të kryetarit të zgjedhur Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025.
Kryebashkiaku Erion Veliaj akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni.
/e.i/j.p/