NJU JORK – SHBA zotohet të mbrojë NATO-n pas shkeljeve të hapësirës ajrore nga Rusia

NJU JORK, 23 shtator /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmuan dje se do të mbrojnë territorin e NATO-s kundër ndërhyrjeve përballë shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore të anëtarëve evropianë të NATO-s nga Rusia.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë pranë aleatëve tanë të NATO-s përballë këtyre shkeljeve të hapësirës ajrore dhe dua të shfrytëzoj këtë mundësi të parë për të përsëritur dhe theksuar se SHBA-ja dhe aleatët tanë do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, tha ambasadori i SHBA-së, Mike Waltz në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në Nju Jork.
“Rusia duhet të ndalojë urgjentisht këtë sjellje të rrezikshme. Ne presim që Rusia të gjejë mënyra për të ulur tensionet, dhe jo për të rrezikuar zgjerimin”, shtoi ai.
Ai vuri në dukje se presidenti i SHBA-së, Donald Trump kishte shpenzuar shumë kohë duke u përpjekur për t’i dhënë fund luftës “të tmerrshme” midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Rusia duhet të negociojë drejtpërdrejt me Ukrainën për të ndaluar luftën”, tha Waltz. //a.i/