Shkarkohen gjeneralët izraelitë, shefi i Shtabit: Dështuan të parandalojnë sulmet e tetorit 2023 nga Hamasi

Shefi i ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Ejal Zamir tha se ushtria dështoi të mbronte civilët e Shtetit të Izraelit më 7 tetor 2023, pasi njoftoi shkarkimin e disa oficerëve të lartë, përfshirë tre ish-gjeneralë. “Nuk është e lehtë të marrësh vendime që prekin njerëzit që i respektoj dhe që ia kanë kushtuar jetën sigurisë së vendit, njerëz me të cilët kemi luftuar përkrah për dekada,” deklaroi Zamir.
Lista e gjeneralëve të shkarkuar përfshin tre komandantë divizionesh, njëri prej të cilëve në atë kohë shërbente si shef i inteligjencës ushtarake.
Shefi i Shtabit të ushtrisë izraelite u shpreh se të tre drejtuesit e lartë mbajnë përgjegjësi personale për dështimin e forcave të armatosura për të parandaluar sulmin e nisur nga Hamasi nga Rripi i Gazës. Shkarkimi i tyre u njoftua edhe pse të tre gjeneralët kanë dhënë dorëheqjen nga postet e tyre.
Zamir njoftoi gjithashtu masa disiplinore kundër kreut të forcave detare dhe ajrore, së bashku me masa kundër katër gjeneralëve të tjerë dhe disa oficerëve të lartë.
Më herët këtë muaj, u publikua një raport nga një komitet ekspertësh të emëruar nga Zamir, i cili shënonte përfundimin e hetimeve të brendshme të ushtrisë për sulmet e 7 tetorit.
Raporti arriti në përfundimin se kishte pasur një dështim sistematik dhe organizativ afatgjatë brenda aparatit ushtarak. Hetimi vuri në dukje gjithashtu dështimin e inteligjencës së ushtrisë për shkak se nuk ngriti alarmin mbi sulmet e Hamasit, edhe pse ushtria kishte informacion të jashtëzakonshëm.
Ai dokument kritikoi gjithashtu mangësitë në proceset e vendimmarrjes dhe vendosjen e forcave ushtarake gjatë natës së 7 tetorit 2023, ndërsa vuri në dukje dështimet në të gjithë zinxhirin komandues të ushtrisë.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/