E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, gjobiten qindra shoferë në Tiranë

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Policia Rrugore në Tiranë, me qëllim garantimin e sigurisë rrugore dhe menaxhimin e fluksit të shtuar të qarkullimit në prag të festave të fundvitit, ka intensifikuar kontrollet dhe patrullimet në të gjitha akset kryesore, dytësore dhe nyjat lidhëse të kryeqytetit.

Policia njoftoi se si rezultat i kontrolleve të shtuara, janë konstatuar shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, për të cilat janë vendosur masat administrative: 529 masa për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara; 389 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 256 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 346 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 170 masa për mosrespektim të radhës së qarkullimit dhe 87 masa për parakalim të gabuar.

Gjithashtu, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, janë arrestuar/proceduar penalisht 39 shtetas dhe janë bllokuar 20 automjete.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në parandalimin e aksidenteve dhe në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve. /j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›