Shkeli perimetrin e sigurisë dhe rrezikoi pushuesit, gjobitet drejtuesi i Jet Ski në Ksamil

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Drejtuesi i një mjeti lundrues Jet Ski është gjobitur nga policia me 500 000 lekë, pasi shkeli perimetrin e sigurisë, duke futur mjetin lundrues në zonën e pushuesve në Ksamil.
Policia njoftoi sot se gjatë patrullimit në plazhin e Ksamilit, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues Jet Ski, i cili kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit që ndodheshin në plazh.
Sipas policisë në përfundim të veprimeve administrative, drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi A. P., u ndëshkua me masë administrative 500 000 lekë, ndërsa mjeti lundrues në pronësi të tij u bllokua në portin e Sarandës.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese dhe subjektet që operojnë me to, që të respektojnë me rigorozitet perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e pushuesve.
/m.q/j.p/r.e/