E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkodër, investim transformues, Muzeu i Lundrimit dhe parku i rekreacionit drejt përfundimit në Qershor 2026

Hyrja e qytetit të Shkodrës pritet të marrë një pamje të re dhe moderne vitin e ardhshëm. Kryetari i Bashkisë, Benet Beci, inspektoi sot punimet në Muzeun e Lundrimit, një investim kyç që është pjesë e një projekti më të gjerë transformues.

Sipas kryebashkiakut, punimet në Muzeun e Lundrimit pritet të përfundojnë në qershor të vitit 2026. Ky kompleks do të plotësohet edhe me sheshin e ri të eventeve, një hapësirë bashkëkohore e konceptuar posaçërisht për aktivitete kulturore dhe artistike.

Gjatë inspektimit, Beci theksoi rëndësinë e këtij investimi, i cili synon të pozicionojë Shkodrën si një qytet evropian.

“Është bërë një punë e jashtëzakonshme, që tregon se ne e realizojmë atë që premtojmë,” shkroi Beci në rrjetet sociale.

Ai shtoi se kjo vepër infrastrukturore, së bashku me portin dhe parkun e rekreacionit—që ai e cilësoi si më të madhin e ndërtuar ndonjëherë në qytet—do ta kthejë hyrjen e Shkodrës në një zonë moderne dhe të zhvilluar.

Projekti i Muzeut të Lundrimit do të shërbejë për të vënë në pah kulturën dhe historinë e rajonit, duke e lidhur atë me zhvillimin urban.

“Një hapësirë moderne, e konceptuar për aktivitete kulturore, që do t’i japë Shkodrës identitetin e një qyteti evropian, ku kultura, historia dhe zhvillimi urban ecin krah për krah,” përfundoi kryebashkiaku.

Me përfundimin e planifikuar në qershor 2026, zona pritet të kthehet në një qendër tërheqëse për banorët dhe vizitorët, duke i dhënë një identitet të veçantë hyrjes së qytetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›