E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, nivelet e ujit në lumenj nën kuotat e rrezikut për përmbytje

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Reshjet intensive kanë rritur prurjet e lumenjve në qarkun e Shkodrës, por deri tani nuk raportohen problematika.

Prefektura e qarkut Shkodër në një deklaratë për shtyp, informoi sot se deri në këto momente nuk janë konstatuar problematika në kanalet kulluese, argjinaturat dhe digën e rezervuarit Shtodër.

Sipas prefekturës, nivelet e ujit në lumenjtë Buna, Drin, Kir dhe Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Cas janë në funksion me nga 5 pompa secili dhe janë në gatishmëri për funksionim me kapacitet të plotë, në rast nevoje. Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment.

Në territorin e bashkisë Vau i Dejës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë. Në fshatin Hoten është raportuar një banesë me prani uji, ku banorëve u është dhënë ndihma e menjëhershme nga grupi i Emergjencave Civile. Situata po monitorohet në vijimësi nga strukturat përkatëse.

Sipas prefektit, në territorin e bashkisë Malësi e Madhe kanë vijuar reshjet e shiut me intensitet mesatar gjatë gjithë natës dhe në orët në vijim. Fshati Flakë vijon të jetë i bllokuar si pasojë e prurjeve të përroit. Në zonat Rrazë dhe Veshtë është konstatuar prezencë uji, por pa rrezik për banesat. Po punohet për furnizimin me energji elektrike në zonën e Kelmendit. Gjithashtu po punohet për hapjen e rrugës pranë lumit në zonën e Dragovojës.

Në territorin e bashkisë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë rurale. Deri në këto momente nuk raportohen dëme në njerëz apo banesa.

Në territorin e bashkisë Shkodër janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë. Grupi i Emergjencave Civile po kryen inspektime në terren dhe është në monitorim të afërt të çdo situate emergjente.

Në njoftim thuhet se në kaskadën e Drinit, prurjet aktuale natyrore arrijnë vlerën 3500 m³/s, duke reflektuar një situatë hidrike të qëndrueshme.

Nivelet e liqeneve paraqiten si më poshtë:

Fierza: 281,2 m;

Koman: 174,2 m;

Vau i Dejës: 75 m.

Shkarkimet aktuale nga hidrocentralet janë të kontrolluara dhe të qëndrueshme: HEC Vau i Dejës 700 m³/s dhe HEC Koman 700 m³/s. Deri tani nuk raportohen problematika.

Prefekti i Qarkut Shkodër vijon ndjekjen nga afër të situatës në koordinimin me të gjitha strukturat vendore e qendrore për menaxhimin e emergjencave.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›