Shkodër, panair pune për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara

Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës mbetet një nga sfidat kryesore për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.
Në mjediset e Muzeut Historik u organizua një Panair Pune me synim krijimin e mundësive konkrete për punësim, informim dhe bashkëpunim mes punëdhënësve, institucioneve dhe personave me aftësi të kufizuara.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të një projekti të financuar nga Këshilli i Evropës.
‘Ky panair synon jo vetëm krijimin e mundësive për bashkëpunim dhe punësim të grupeve të synuara, por edhe promovimin e aftësive të tyre përmes punimeve dhe produkteve që realizojnë”, tha Denada Shpuza, Drejtore e qendrës së gruas “Hapat e lehtë”.
“Ne prej vitesh po luftojmë për t’u trajtuar të barabartë dhe për t’u integruar në tregun e punës. Shpesh jemi përballur me përbuzje dhe refuzime. Na kanë thënë: “Nuk kemi vend për ty”, “Nuk kam çfarë të bëj me ty” apo justifikime të tjera që përdorin punëdhënësit për të mos na punësuar”, tha Ardit Mancaku, Përfitues i projektit “Shpresa”
Panairi solli së bashku institucione publike, biznese dhe organizata të shoqërisë civile, duke promovuar rëndësinë e barazisë në aksesin ndaj punësimit.
Aktiviteti u shoqërua edhe me performanca artistike, ku banda muzikore “The Door” përcolli mesazhe të përfshirjes, talentit dhe mundësive të barabarta për të gjithë.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/