Shkodër, shtohen kontrollet në thertore, Shërbimi Veterinar: Të pestë subjektet që shërbejnë qark janë në fokus të inspektimeve

Me rritjen e temperaturave dhe shtimin e kërkesës për produkte të mishit gjatë sezonit veror, Shërbimi Veterinar ka intensifikuar kontrollet në të pesë thertoret që ushtrojnë aktivitet në qarkun Shkodër.
Sipas përgjegjësit të Shërbimit Veterinar, inspektimet janë përqendruar në kontrollin shëndetësor të kafshëve para dhe pas therjes, respektimin e kushteve higjieno-sanitare, si dhe dokumentacionin që garanton gjurmueshmërinë e produkteve me origjinë shtazore.
“Kemi dyfishuar numrin e veterinar që bëjnë kontrollin e thertoreve para therjes gjatë dhe mbas therjes, i mbulojmë edhe ditë të pushimit kështu që mishi që del nga thertoret që është me vulën e thertores është plotësisht i kontrolluar dhe nuk ka asnjë rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Në nivel qarku funksionojnë pesë thertore që kryejnë therjen e kafshëve. Këto thertore janë të mbuluara me shërbim veterinar edhe ditën e shtunë edhe ditët e festave. Kjo bëhet me qëllim që çdo produkt del nga thertoret të jetë plotësisht i kontrolluar dhe i sigurt për konsumatorët”, u shpreh Mark Preçi, përgjegjës i Shërbimi Veterinar Shkodër.
Shërbimi Veterinar u bën thirrje qytetarëve të blejnë mish vetëm në pika të licencuara tregtimi, të pajisura me vulën veterinare, duke shmangur çdo produkt me origjinë të paqartë. Kontrollet në thertore do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit veror, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se ndaj çdo subjekti që konstatohen shkelje të standardeve higjieno-sanitare apo të sigurisë ushqimore do të merren masat e parashikuara nga ligji.
/rtsh.al/