Shkodër, stuhia nuk solli probleme falë ndërhyrjeve në kolektorë

TIRANË, 30 gusht/ATSH/ Një stuhi e shoqëruar me erë të fortë dhe reshje të shumta shiu përfshiu Shkodrën, por fatmirësisht nuk shkaktoi probleme në qytet.
Bashkia Shkodër ndau pamjet nga rrugët kryesore të qytetit, “ku shfaqet një situatë ndryshe nga vetëm një vit më parë, kur çdo shi sillte përmbytje për shkak të mosfunksionimit të kolektorëve”.
Sipas njoftimit të Bashkisë së Shkodrës, “falë ndërhyrjeve të kryera nga Bashkia Shkodër dhe ndërmarrja “Ujësjellës-Kanalizime”, rrjeti i kanalizimeve është përmirësuar ndjeshëm, duke shmangur përmbytjet dhe duke lehtësuar qarkullimin normal në qytet.
“Gjatë ditës së sotme, punonjësit e Ujësjellësit kanë qenë në gadishmëri së bashku me strukturat e Bashkisë Shkodër, për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë në kohë në rast nevoje”, vijon njoftimi.
Bashkia Shkodër falënderon punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve dhe të “Ujësjellës-Kanalizime” për angazhimin e tyre, si edhe banorët për mirëkuptimin gjatë punimeve për kolektorët, një proces që vazhdon ende për të garantuar një qytet më të sigurt dhe pa probleme nga përmbytjet.
/a.f/