Manastirliu në shkollën “22 Tetori” në Berat: Investime në 7 shkolla të reja në qarkun e Beratit

TIRANË, 30 gusht /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet në kantierin e shkollës “22 Tetori” në Berat, një investim që i përgjigjet jo vetëm nevojave të arsimit, por edhe komunitetit të zonës.
“Një investim fantastik, dhe Bashkia e Beratit këtu ka bërë një punë shembullore, sepse ka integruar më së miri edhe shërbimet që u duhen qytetarëve, por nga ana tjetër ka realizuar një projekt i cili jo vetëm i përgjigjet kohës, por edhe shërben që shkolla të krijojë mundësinë e transformimit në vazhdim të shërbimeve brenda saj, si edhe të aktiviteteve të ndryshme sociale, kulturore dhe sportive. Edhe palestra është një investim fantastik, i cili përfundon në janar të vitit 2026,” u shpreh ministrja Manastirliu.
Në qarkun e Beratit po investohet në 7 objekte arsimore, teksa Ministrja theksoi se investimet në infrastrukturën shkollore janë prioritet, duke u fokusuar jo vetëm në kushte bashkëkohore, por edhe në laboratorë shkencorë dhe smartlab.
“Vetëm për ciklet buxhetore 2024-2025 dhe 2025-2026 janë 7 objekte arsimore që po investohen në qarkun e Beratit. Nuk do të ndalemi këtu, sepse investimi në infrastrukturë është shumë i rëndësishëm për t’iu përgjigjur nevojave të kohës: laboratorëve të shkencave, gjithashtu edhe smartlabeve. Edhe kjo shkollë do të ketë një smartlab të ri për të zhvilluar lëndën e TIK-ut sipas kurrikulës së re dhe për të bërë të mundur që aftësitë digjitale për fëmijët të nisin që në klasë të parë, por edhe të thellohen me kurrikulën e re të klasës së katërt, ku kemi bazën e inteligjencës artificiale. Përmes këtyre platformave do të mund të aksesohen edhe lëndë të tjera,” tha ministrja e Arsimit dhe Sportit.
Në këtë vit të ri shkollor 30 shkollat e reja apo të rikonstruktuara në të gjithë vendin do të hapin dyert për nxënësit dhe mësuesit në datën 8 shtator. Mbi 8 mijë nxënës në këto shkolla do të fillojnë vitin e ri shkollor në ambiente të reja.
/e.i//a.f/