Shkodra, destinacion i përhershëm për turistët– Rama: Muzetë dhe sitet arkeologjike janë atraksione që zgjojnë interes për çdo moshë

Shkodra është shndërruar në një nga qytetet më të vizituara të Shqipërisë, duke ngjallur interes të madh tek vizitorët vendas dhe të huaj.
Kryeministri Edi Rama, në postimet e tij të përditshme në Facebook, ka uruar “MIRËMËNGJES” duke sjellë në vëmendje muzetë dhe sitet arkeologjike të qytetit, të cilat sipas tij zgjojnë kureshtje për çdo moshë dhe janë një arsye më shumë për të vizituar Shkodrën.
Sipas të dhënave të fundit, gjatë muajve të parë të vitit 2026 vizitat në Parkun Arkeologjik të Shkodrës dhe Muzeun Historik kanë njohur një rritje të ndjeshme, me rreth 17% më shumë vizitorë krahasuar me vitin e kaluar.
Kjo rritje lidhet kryesisht me praninë e shtuar të turistëve të huaj, të cilët e shohin Shkodrën si një destinacion kulturor dhe historik unik në rajon.
Karakteristikat që e bëjnë Shkodrën të veçantë për turistët
Liqeni i Shkodrës dhe shpendët migratorë
Liqeni më i madh në rajon, i pasur me mbi 60 lloje peshqish dhe mbi 200 lloje shpendësh. Zona e zambakëve të ujit ofron një peizazh përrallor për vizitorët.
Muzetë dhe biçikletat
Shkodra njihet si qyteti i biçikletave. Vizitorët mund të eksplorojnë muzetë kryesorë si Muzeu Historik Oso Kuka, Fototeka Marubi dhe Vendin e Dëshmisë duke pedaluar në rrugët e qytetit.
Lagjja e vjetër “Gjuhadol”
Një lagje me arkitekturë veneciane, dikur rezidencë e konsullatave të huaja. Aty ndodhet edhe Kisha e Gjuhadolit, e lidhur me figurën e At Gjergj Fishtës.
Punishtja e maskave veneciane
Një traditë e veçantë e Shkodrës, ku prej 30 vitesh prodhohen me dorë maska veneciane që eksportohen në Itali dhe më gjerë.
/rtsh.al/