E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra së shpejti me Info Point, pikë informacioni për turistët

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Shkodra, qyteti në veri të Shqipërisë, i kthyer në një destinacion të preferuar për turistët do të ketë së shpejti një pikë informacioni orientuese për ta.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci e konsideroi këtë një hap të ri për turizmin në Shkodër, ndërsa tha se qyteti po hyn në një fazë të re të mikpritjes dhe orientimit për vizitorët.

Beci tha se së shpejti, qyteti do të ketë një Info Point turistik modern, me një dizajn inovativ dhe bashkëkohor, i menduar për t’i ofruar turistëve një përvojë më të lehtë, më të bukur dhe më të organizuar që në momentin e parë të mbërritjes.

Sipas tij, në këtë hapësirë, vizitorët do të kenë mundësi të marrin informacion të shpejtë dhe të saktë për atraksionet kryesore, aktivitetet në natyrë, kulturën dhe historinë e qytetit dhe eksperiencat unike që ofron Shkodra.

“Ky është vetëm fillimi i një serie investimesh dhe iniciativash që synojnë ta pozicionojnë Shkodrën si një destinacion turistik të denjë për nivelin që meriton”, tha Beci.

Shkodra gjithashtu ofron një pasuri të madhe atraksionesh për vizitorët, që nga Kalaja e Rozafës, Muzeu Historik i Shkodrës, Muzeu i Fotografisë “Marubi”, liqeni i Shkodrës, zona e Shirokës dhe Zogajt, si dhe zonat malore si Thethi një nga perlat e Alpeve Shqiptare.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›