“The Guardian”: Trump: Tarifa 100% për prodhuesit e barnave që nuk arrijnë marrëveshje për të ulur çmimet në SHBA

UASHINGTON, 3 prill /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë një tarife prej 100% ndaj kompanive farmaceutike që nuk arrijnë marrëveshje për uljen e çmimeve të barnave në SHBA, sipas “The Guardian”.
Masa parashikon tarifa që do të zbatohen vetëm për barnat me markë (branded) dhe për përbërësit e tyre aktivë.
Ilaçet gjenerike, që përbëjnë mbi 90% të tregut në SHBA, do të përjashtohen për të paktën një vit.
Gjithashtu, do të përjashtohen edhe disa barna speciale, si ato për sëmundje të rralla, veterinare ose për nevoja urgjente shëndetësore.
Kompanitë që bëjnë marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë për uljen e çmimeve dhe që zhvendosin prodhimin në SHBA nuk do të preken nga tarifat.
Ndërsa, kompanitë që planifikojnë të rrisin prodhimin brenda vendit do të përballen fillimisht me një tarifë 20%, e cila mund të rritet deri në 100% brenda katër viteve.
SHBA-ja ka rënë dakord për përjashtime për 17 kompani farmaceutike (disa ende në negociata).
Kompani të mëdha si “Pfizer” dhe “Eli Lilly” kanë nënshkruar marrëveshje dhe do të përjashtohen nga tarifat për tre vite.
Kompanitë e mëdha kanë 120 ditë kohë për të negociuar, ndërsa ato më të vogla kanë 180 ditë.
Disa organizata thonë se kjo politikë mund të krijojë një sistem të padrejtë me dy nivele, që favorizon kompanitë e mëdha.
Kompanitë e mesme paralajmërojnë se nuk kanë kapacitet financiar për të përballuar kostot e papritura.
Qëllimi i politikës së Trump lidhet me uljen e çmimeve të barnave në SHBA, ku pacientët paguajnë shumë më tepër se në vendet e tjera të zhvilluara—shpesh deri në trefish.
Masa vjen në një kohë kur qeveria amerikane po përballet me një presion për uljen e kostos së jetesës, përfshirë çmimet e larta të produkteve dhe karburantit. //a.i/