GJKKO dënon tre persona për trafik armësh

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha sot vendimin për çështjen penale ndaj të pandehurve Adulla Hoxhaj, Admir Tutaj, Rifat Avdiaj dhe Bojken Turtulli, të akuzuar për trafikim armësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Pas shqyrtimit të çështjes me procedurën e gjykimit të shkurtuar, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Rudina Palloj dhe Atalanta Zeqiraj vendosi deklarimin fajtor të Adulla Hoxhajt, Admir Tutajt dhe Bojken Turtullit për veprën penale të “Trafikimit të armëve dhe municionit”, mbetur në tentativë dhe kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Adulla Hoxhajn, gjykata e shpalli fajtor edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe për “mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të cilat iu gjetën në banezë gjatë një operacioni të zhvilluar më 1 gusht 2024. Pas bashkimit të dënimeve dhe përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 8 vjet e 8 muaj burg.
Ndërkohë, Admir Tutaj dhe Bojken Turtulli u dënuan secili me nga 8 vite burgim pas uljes së dënimit për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar.
Gjithashtu, gjykata shpalli të pafajshëm Rifat Avdiajn për akuzat e trafikimit të armëve dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, me argumentin se nuk u provua që ai kishte kryer veprat penale për të cilat akuzohej.
Si pasojë, GJKKO urdhëroi heqjen e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Avdiajt dhe lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi, nëse nuk mbahej për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Të dënuarit do ta vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së lartë, ndërsa afati i vuajtjes së dënimit llogaritet nga dita e arrestimit të tyre.
/m.q/r.e/