E Martë, 3 Nëntor 2026

Shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje 20 vite, Prokuroria Fier 14 masa sigurimi për “Bankers”

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Fierit lëshoi 14 masa sigurimi për punonjës të kompanisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nën akuzat për krijim skemash mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar, fshehje të të ardhurave, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe moskryerje të detyrave nga organet tatimore.

Hetimet, të nisura në fund të vitit 2024 pas referimit të Drejtorisë së Hetimit Tatimor dhe një periudhe 6-mujore hetimi proaktiv, kanë siguruar prova që ngrenë dyshime të forta mbi përfshirjen e kompanisë dhe disa individëve në këto vepra penale.

Gjatë operacionit në bashkëpunim me Policinë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në disa ambiente të kompanisë si dhe në banesa private, nga ku janë sekuestruar sende që i përkasin veprave penale dhe u ekzekutuan 9 (nëntë) masa sigurimi personal me karakter shtrëngues, ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.W, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani.

Pesë persona të tjerë, kryesisht të huaj, janë shpallur në kërkim, ndërsa ndërhyrja e Prokurorisë synon parandalimin e prishjes së provave dhe shmangien e ikjes së të dyshuarve.

Hetimet kanë zbuluar se “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka deklaruar humbje që nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024, duke mos paguar asnjë taksë mbi fitimin për 20 vjet me radhë, pavarësisht sasisë së konsiderueshme të karburantit të nxjerrë dhe tregtuar në zonat e Patos-Marinzë-Fier.

“Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532 miliardë lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,6 miliardë lekë”, bëri të ditur Prokuroria e Fierit.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme.

Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›