E Martë, 3 Nëntor 2026

Shpallen fituesit e kampionatit të Ekipeve Sportive për shkollat 9-vjeçare, Rama përgëzon pjesëmarrësit

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot ekipet kampione të Edicionit të 3-të të Ekipeve Sportive për shkollat 9-vjeçare.

Rama gjithashtu ndau foto nga ndeshjet finale ku fitoi ekipi i Korçës për vajza dhe ekipi i Lezhës për djem.

“Urime kampionëve dhe të gjitha skuadrave pjesëmarrëse. Ndeshjet finale të Kampionatit të Ekipeve Sportive për shkollat 9-vjeçare, ku ekipi i Korçës u shpall kampion në basketboll për vajza, pas një ndeshjeje të fortë me Tiranën. Ekipi kampion në basketboll për djem u shpall Lezha, që fitoi ndaj Vlorës”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Në një atmosferë të shkëlqyer dhe një luftë të fortë sportive, në Pallatin e Sportit, Feti Borova janë zhvilluar 2 finalet e para të Edicionit të 3-të të Ekipeve Sportive në Shkolla.

Për vajza në finale u përballën qarku i Korçës dhe i Tiranës. Me një shpirt të lartë gare dhe një dëshirë më të madhe, vajzat korçare rrëmbyen trofeun, pasi e mbyllën takimin në shifrat 39-24.

Për djem në finale u përballën Lezha dhe Vlora. Ekipi lezhjan me një përgatitje më të lartë fizike, arriti të dominonte ndeshjen, të cilën e fitoi me rezultatin 36-28.

Në përfundim të ndeshjeve u shpërndanë trofetë për ekipet fituese. /j.p/

1 nga 16

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›