E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërtheu në brohorima dhe lot kur Kosova fitoi kundër Sllovakisë, gazetari rrëfen prapaskenat e videos që u bë virale

Kur dashuria për vendin dhe profesioni gërshetohen në një mënyrë magjike, arrijnë të thyejnë barrierat gjuhësore dhe diplomatike. Ky është rasti i Engjëll Bërbatovcit, gazetarit dhe komentatorit sportiv nga Kosova, i cili u kthye në një sensacion global pasi shpërtheu në brohorima dhe u përlot kur Kosova shënonte gol në ndeshjen vendimtare me Sllovakinë. Reagimet e tij epike u bënë virale, duke bërë që bota të kthejë sytë nga Kosova. 

Në një intervistë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, Bërbatovci ka rrëfyer prapaskenat e asaj videoje që “pushtoi” rrjetet sociale dhe mediet, nga Brazili e deri në Meksikë.

Gjithçka nisi të enjten e kaluar, kur Engjëlli ishte caktuar të komentonte ndeshjen Danimarkë – Maqedoni e Veriut. Ndonëse ishte në detyrë, vëmendja e tij, ashtu si e të gjithë shqiptarëve, ishte diku tjetër.

​“Ka qenë gjithçka spontane. Ne sfidohemi ndonjëherë kur ka ngjarje të mëdha të përcjellim diçka tjetër kur je në detyrë. Atë mbrëmje luhej Poloni – Shqipëri dhe Sllovaki – Kosovë dhe krejt sytë e shqiptarëve kanë qenë në këto dy ndeshje. Paksa i dëshpëruar, shkova në kabinën e komentimit pa asnjë plan”, tregon ai.

Pikërisht në atë kabinë, ai vendosi të xhironte veten me telefon për të treguar emocionet e prapaskenave. Por, kur Kosova shënoi golin e tretë në Bratislavë, profesionalizmi u “dorëzua” përpara ndjenjës kombëtare.

​“Mendja ime ishte në Bratislavë. Duke parë ndeshjen, emocionet rriteshin kohë pas kohe. Kur erdhi goli i tretë, nuk munda të përmbahem më, u desh të ndalja mikrofonin dhe të nxirrja zhurmën që kisha brenda. Gjithçka ka qenë prej shpirtit. Por nuk ma ka marrë mendja që do të bëhej kaq virale në botë sepse video është në gjuhën shqipe, por kam kuptuar që gjuha universale është dashuria dhe emocioni”, shtoi ai.

​​Jehona e videos ishte e menjëhershme. Zgjimi të nesërmen për komentatorin nga Kosova ishte plot befasi.

“Në orën 12:30 pas mesnatës e kam postuar videon dhe kam fjetur. Kur jam zgjuar në mëngjes në orën shtatë, mesazhi i parë që më ka ardhur ka qenë i Vedat Muriqit. Kur më ka shkruar vetë kapiteni i Kosovës, nuk e prisja. Video kishte shpërthyer, telefoni gjithë ditës vibronte. Video ka shkuar deri në Brazil dhe Meksikë. Më kanë kontaktuar gazetarë të ESPN-it meksikan, të rrjetit të sportit atje. Më thanë që përmes teje kemi arritur ta njohim pak më shumë Kosovën dhe të kuptojmë pse është kaq e rëndësishme për Kosovën të kualifikohet në Kampionat Botëror. Një televizion Brazilian më kontaktoi për intervistë. Nuk mund ta besoja. Nuk jam mësuar te kem një vëmendje kaq të madhe përnjëherë”, tregon ai.

I pyetur se cilat janë disa nga mesazhet që i kanë lënë mbresa, Engjëlli veçon: “Është një mesazh prej një djali të ri nga Kosova ku më shkruan se ‘gjithmonë kam pasur ëndërr të jem komentator si ty dhe të përfaqësoj vendin tim ashtu siç e ke përfaqësuar ti në arenën ndërkombëtare përmes komentimit’”.

Për Bërbatovcin, kjo famë shkon përtej personales. Është një mundësi për të prezantuar shtetin e tij në vende që ende nuk e njohin zyrtarisht, si Meksika. Ai veçon edhe mesazhin e gazetarit meksikan Alan Ortiz, i cili i tha: “Uroj të vini në Amerikën Latine për të na vizituar në Meksikë, dhe të jeni në Kampionatin Botëror sepse me të vërtetë ju dua juve dhe popullin tuaj që jeni shumë fisnikë”.

​Duke parë përpara, Bërbatovci është mjaft optimist për ndeshjen e radhës të Kosovës kundër Turqisë. Ai beson te një fitore historike që do të festohet nga të gjithë shqiptarët. ​“E marr të sigurt fitoren. Mendoj që nesër kemi për të fituar. Nuk e mendoj që do të mposhtemi. Jemi në shtëpi. Lojtarët janë shumë të motivuar. Besoj që nesër do na shpërblehet dhe krejt shqiptarët anembanë botës do të festojnë këtë arritje historike”.

Në mbyllje, ai nuk la pa përmendur edhe kombëtaren kuqezi, duke theksuar unitetin e kombit përtej kufijve shtetërorë. ​“Sa keq që Shqipëria nuk mundi të kualifikohej. Vërtetë jemi dy shtete por jemi një komb dhe duhet të gëzohemi me sukseset e njëra-tjetrës”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›