Shpopullimi, Rama: Shpifje e “bufit të kënetës”, në 2011 ka patur largime më masive sesa sot

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se çështja e shpopullimit, e ngritur si shqetësim nga opozita është një shpifje që, sipas tij, buron nga “bufi i kënetës”.
Gjatë rubrikës “Sy m’Sy”, kreu i qeverisë, duke iu përgjigjur komentuesve drejtpërdrejt në rrjetet sociale lidhur me çështjen e shpopullimit, u shpreh se ka pasur më shumë emigrim të shqiptarëve në vitet 1997, 1998 apo 2011.
“Kjo idiotësi është si puna e asaj shprehjes: shpif e shpif, se diçka mbetet. Tani kjo u ka mbetur në gojë atyre që ua ka stampuar ‘bufi i kënetës’, që unë paskam shpopulluar Shqipërinë, dhe flasin sikur lëvizja e shqiptarëve dhe largimi i tyre drejt BE-së dhe vendeve të tjera nisi kur erdha unë në qeveri. Po të shikosh trajektoren e lëvizjes së shqiptarëve, është shumë e qartë se si ka ndodhur, kur ka ndodhur dhe kur ka pasur një mesatare të pandryshuar. Në vitet 1997, 1998 dhe 2011, kur ka pasur ikje më masive sesa sot, unë nuk isha në detyrë. Çfarë janë këto muhabete?”, tha Rama.
/a.f//r.e/