Shqipëria, 151 subjekte të certifikuara të bujqësisë organike

Ekspertë të bujqësisë nga Shqipëria, Sllovenia, Bullgaria dhe Kroacia, kanë diskutuar mbi mënyrat për të forcuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e praktikave të mira për prodhim të qëndrueshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj pas një takimi rajonal të zhvilluar në Slloveni, mbi bujqësinë organike.
Sipas ministres, “Shqipëria ka një mundësi të madhe për të zhvilluar bujqësinë organike në harmoni me objektivin e strategjisë së BE-së, nga ferma në tryezë, dhe objektivin për të arritur 25% të tokës bujqësore dhe bujqësisë organike deri në vitin 2030”.
Denaj theksoi se në vitin 2023 numri i korporatave të certifikuara organike në Shqipëri ka arritur në 151 subjekte duke shënuar, një rritje prej 9.4% krahasuar me vitin e kaluar.
Zonja denaj bëri të ditur se qeveria ka miratuar së fundi projektligjin “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”. Ai organizon rregullat e qarta për produktet organike të prodhuara në Shqipëri, sipas standardeve të BE-së. “Zbatimi i këtij projektligji do të ndikojë dhe në rritje të eksporteve të produkteve organike dhe rrjedhimisht përfitime ekonomike për fermerët vendas” tha minsitrja Denaj.
Sipas ministres Denaj, “është shumë e vështirë të fillosh me produktet organike, por është shumë e qëndrueshme në terma afatgjatë sepse tregjet janë të sigurta dhe çmimi është i lartë.
/ rtsh.al /