Shqipëria forcon bashkëpunimin rajonal në kërkim-shpëtimin aeronautik - ATSH -
TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Forcimi i bashkëpunimit rajonal në fushën e kërkim-shpëtimit aeronautik dhe koordinimi i operacioneve ndërkufitare ishin në fokus të takimit të dytë për vitin 2026 të Komitetit Këshillues Rajonal të Kërkim-Shpëtimit Aeronautik (RASARAC), të organizuar nga Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (QKKSH).
Në takim mori pjesë zëvendësministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda, e cila theksoi angazhimin e Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi kërkim-shpëtimi më të fuqishëm, me kapacitete më të larta dhe reagim më efikas.
Ajo nënvizoi se forcimi i këtij sistemi përbën jo vetëm një përparësi kombëtare, por edhe një përgjegjësi të përbashkët rajonale dhe ndërkombëtare.
Diskutimet u përqendruan te koordinimi i operacioneve të kërkim-shpëtimit, vlerësimi i kapaciteteve dhe aseteve SAR të vendeve anëtare, si dhe lehtësimi i procedurave për zhvillimin e operacioneve ndërkufitare.
Në kuadër të aktivitetit u zhvilluan edhe mbledhja e 28-të e Grupit të Ekspertëve dhe mbledhja e 29-të e Bordit Drejtues të vendeve anëtare të RASARAC.
Ky takim i paraprin stërvitjes ndërinstitucionale të kërkim-shpëtimit aeronautik SAREX-2026, e cila do të zhvillohet nesër, me synim testimin e gatishmërisë operacionale dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional në përballimin e situatave emergjente.
1 nga 4
/gj.m/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
