E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria forcon pozitat në arenën ndërkombëtare, miratohen konventat për taksat globale dhe të drejtën e detit

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, nën drejtimin e kryetarit Igli Hasani, ka mbajtur një mbledhje maratonë ku u miratuan dy projektligje kyçe dhe u zhvilluan seancat dëgjimore për emërimet e reja në diplomacinë shqiptare. Vendimet e sotme shënojnë hapa përpara në harmonizimin e legjislacionit shqiptar me rregullat e OECD-së dhe OKB-së.

Komisioni ratifikoi Konventën Shumëpalëshe për zbatimin e Shtyllës së Dytë të rregullit tatimor, një nismë globale e iniciuar në Paris. Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, shpjegoi se ky projektligj synon vendosjen e një norme minimale tatimore prej 9% mbi interesat dhe honoraret.

Ky rregull, i njohur si STTR (Subject to Tax Rule), do të aplikohet në marrëveshjet dypalëshe për shmangien e tatimit të dyfishtë. Qëllimi është që kompanitë shumëkombëshe të mos shfrytëzojnë normat e ulëta tatimore në vende të ndryshme për të shmangur detyrimet, duke garantuar një konkurrencë të ndershme fiskale.

Mbrojtja e pasurive ujore

Një tjetër pikë e rëndësishme ishte aderimi në marrëveshjen e OKB-së (1982) për menaxhimin e burimeve peshkore ndërkufitare. Zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, theksoi se asnjë shtet nuk mund t’i mbrojë i vetëm speciet shumëmigruese.

Si pjesë e koordinimit ndërkombëtar, Shqipëria përfiton bashkëpunim me shtetet fqinje për mbrojtjen e rezervave peshkore në Adriatik dhe Jon; kuadër ligjor për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve që kalojnë kufijtë detarë; fuqizim i kapaciteteve për kontrollin e peshkimit të paligjshëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›