E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria mirëpret elitën e padelit botëror më 24-31 maj, Gonxhja: Skemë e re financimi për sportin

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, deklaroi se aktivitetet sportive dhe sportistët në Shqipëri do të mbështeten nga bizneset private përmes një skeme të re financimi, e cila parashikon lehtësira fiskale për sponsorët.

Sipas tij, fondet e dhëna nga bizneset për sportin do të zbriten drejtpërdrejt nga detyrimet tatimore të vitit pasardhës, ndërsa kompanitë do të përfitojnë edhe nga promovimi. Ky mekanizëm synon të sigurojë financim më të shpejtë për aktivitetet sportive dhe sportistët.

Gonxhja bëri me dije se brenda pak ditësh pritet miratimi nga Komisioni Evropian për një pjesë të ligjit të sponsorizimit, i cili më pas do të kalojë për shqyrtim në Parlament dhe do të reflektohet në paketën fiskale të vjeshtës. Ai theksoi se kjo skemë do të ndihmojë në formalizimin e ekonomisë, rritjen e konsumit dhe promovimin e Shqipërisë përmes sportit.

“Për pak ditë do të kemi një aprovim nga Komisioni Europian për një pjesë të ligjit të sponsorizmit për financimin privat të sportit nga biznesi privat. Do të kemi ligjin e sponsorizimit në parlament. Do të ketë një reflektim në paketën fiskale të vjeshtës. Do të kemi një gjenerim dhe financim nga ana e biznesit privat. Kalimi i drejtpërdrejtë i fondit nga subjektet te sportistët është prokurim i drejtpërdrejtë, zbritet direkt nga detyrimi tatimor i vitit pasardhës, promovohen, bën të mundur që shteti në fund t’i ketë para që janë investuar më shpejt në sport që kthehen në mundësi për të gjeneruar më shumë konsum, formalizon ekonominë, ndihmon sportistët, promovon Shqipërinë dhe rrit kapacitetet”, tha Gonxhja.

Deklaratat u bënë në kuadër të organizimit të Kampionatit Ndërkombëtar të Padelit në Shqipëri, një event që pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e sportit dhe turizmit. Ministri nënvizoi se ky aktivitet nuk është vetëm një disiplinë sportive, por edhe një mënyrë për të nxitur një stil jetese të shëndetshëm dhe për të rritur përfshirjen e qytetarëve në aktivitete fizike.

Ai shtoi se për turneun do të ndërtohen katër fusha të reja, të cilat do të mbeten në dispozicion të federatës për zhvillimin e aktiviteteve të tjera në të ardhmen. Sipas tij, evente të tilla sjellin përfitime të shumanshme, duke rritur turizmin sportiv, të ardhurat lokale dhe promovimin ndërkombëtar të vendit.

“E shohim jo vetëm si disiplinë, por si instrument për të rritur pjesëmarrjen e qytetarëve në një aktivitet të ri fizik që promovon jetesën e shëndetshme. Një nga elementët më të rëndësishëm është ndikimi afatgjatë i këtij eventi në vëmendjen tonë. Do të ketë 4 fusha të ndërtuara për zhvillimin e këtij turneu që janë një aset që do të qëndrojë në funksion që do t’i mbeten Federatës si bazë e domosdoshme për çuarjen përpara dhe duke mundësuar organizimin e aktiviteteve të tjera. Përfitimet janë të shumëanshme, e promovon Shqipërinë, transmetimi i ndeshjeve në platformat ndërkombëtare shërben si dritare më e madhe, si dhe ndikimi ekonomik, evente të tilla gjenerojnë një fluks të konsiderueshëm vizitorësh. Kjo përkthehet në të ardhura shtesë për ekonominë lokale, në nxitje të turizmit sportiv. Një dimension tjetër i rëndësishëm është ai edukativ, përfshirja e të rinjve i lidh me miqësi të reja, qendra, ambiente, nisma, aktivitete të reja sportive”, tha ministri.

Ndërkohë, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Padelit, Luigi Carraro, e cilësoi si surprizë zhvillimin e turneut në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Ai u shpreh se ambienti është unik dhe ideal për të pritur sportistët më të mirë, duke shtuar se synimi është që ky event të kthehet në një traditë të përvitshme në Shqipëri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›