Shqipëria në World Travel Market London 2026, promovim kulturës, traditës dhe inovacionit - ATSH -
TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Shqipëria po prezantohet në World Travel Market London 2026 me një agjendë të pasur ngjarjesh, kulture, tradite dhe inovacioni.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga stenda e Shqipërisë në këtë panair, i cili konsiderohet si një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare të industrisë së turizmit, që zhvillohet në qendrën e ekspozitave ExCeL London, në Mbretërinë e Bashkuar.
Rama bëri të ditur se deri më 5 nëntor, stenda jonë në Londër do të jetë pikëtakimi i turizmit, artizanatit, gastronomisë dhe përvojave digjitale, për të treguar historinë e një vendi që duhet përjetuar në çdo stinë.
Pjesëmarrja në këtë panair që organizohet në datata 3-5 nëntor, është një mundësi për të promovuar bukuritë, kulturën, mikpritjen dhe eksperiencat unike që ofron vendi ynë, si dhe për të krijuar ura të reja bashkëpunimi me profesionistë dhe partnerë nga e gjithë bota.
Shqipëria synon të tërheqë vëmendjen e operatorëve turistikë, agjencive të udhëtimit, investitorëve dhe profesionistëve të sektorit, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe partneritetesh me aktorë të rëndësishëm të industrisë globale të turizmit.
World Travel Market (WTM) në Londër është një nga panairet më të mëdha dhe më prestigjioze ndërkombëtare të turizmit, që mbledh çdo vit profesionistë, operatorë dhe vendimmarrës nga e gjithë bota.
Ky panair ofron një platformë unike për promovimin e destinacioneve turistike, zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit dhe eksplorimin e trendeve më të fundit në industrinë globale të turizmit.
Edicioni i këtij viti ka mbledhur mbi 46 mijë pjesëmarrës, më shumë se 4 mijë ekspozues dhe përfaqësues nga mbi 180 vende të botës.
Përveç mundësive për takime dhe marrëveshje biznesi, aktiviteti shërben edhe si një hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e zhvillimeve më të fundit në industrinë e udhëtimeve, përfshirë turizmin e qëndrueshëm, inovacionin teknologjik, ndryshimin e preferencave të turistëve dhe zhvillimin e përvojave autentike turistike.
Në këtë kuadër, prezantimi i Shqipërisë në një platformë të tillë ndërkombëtare merr rëndësi të veçantë për rritjen e dukshmërisë së vendit në tregun global, zgjerimin e hartës së bashkëpunimeve dhe promovimin e një oferte turistike që shtrihet përtej sezonit veror, duke përfshirë turizmin kulturor, natyror, malor, kulinar dhe atë të aventurës.
Pjesëmarrja në World Travel Market London 2026 synon të kontribuojë në forcimin e pozicionit të Shqipërisë si një destinacion gjithnjë e më konkurrues dhe tërheqës në hartën ndërkombëtare të turizmit.
/m.m/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
