Shqipëria organizon seminar për të forcuar përafrimin e politikave të drogës me standardet e BE

Në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Brendshme, organizuan një seminar që mblodhi së bashku partnerë nga ministritë e linjës, si edhe ekspertë ndërkombëtarë nga MILDECA – Misioni Ndërministror i Luftës kundër Drogave dhe Sjelljeve të Varësisë i Francës dhe nga zyra rajonale e UNDP-së.
Gjatë takimit u diskutua për përafrimin e Shqipërisë me standardet e politikave të BE-së për drogat dhe promovimin e qasjes së UNDP-së mbi politikat për drogat, shëndetin dhe zhvillimin.
Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, nënvizoi mbështetjen e plotë të Francës për këtë proces. Ajo përshëndeti angazhimin e autoriteteve shqiptare për të zhvilluar një mjet të fuqishëm për një politikë publike dhe të integruar të bazuar në prova që synon të kontribuojë në një shoqëri më të sigurt dhe më të shëndetshme.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Entela Ramasocaj, tha se “gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të modernizuar dhe forcuar kuadrin e saj të politikave për drogën, në përputhje të plotë me standardet evropiane“.
Marrëveshja e vitit 2019 me Qendrën Evropiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë nga Droga, tashmë Agjencia e Bashkimit Evropian për Droga (EUDA) vendosi themelet e para për përafrimin e Shqipërisë me standardet e BE-së.
Ky seminar shënoi një moment të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt politikave moderne, të integruara dhe të bazuara në të drejtat e njeriut dhe në hartimin e politikave për parandalimin e drogave të bazuara në të dhëna.
/rtsh.al/