E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria pjesë e marrëveshjes rajonale për mbrojtjen e infrastrukturës së transportit nga ndryshimet klimatike

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Përfaqësues të autoriteteve rrugore dhe hekurudhore nga vendet e Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Helsinki (Finlandë), ku nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi për forcimin e qëndrueshmërisë së infrastrukturës së transportit ndaj ndryshimeve klimatike.

Marrëveshja u nënshkrua nga administratori i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho.

Marrëveshja synon kalimin nga qasja e bazuar te riparimi i dëmeve drejt parandalimit dhe rritjes së rezistencës së rrjeteve të transportit, në kushtet kur fenomenet ekstreme klimatike po paraqesin sfida gjithnjë e më të mëdha për infrastrukturën rajonale.

Sipas të dhënave të prezantuara gjatë takimit, rreth 50% e rrjetit rrugor të Korridorit Trans Europian të Transportit (TEN-T) dhe një e treta e rrjetit hekurudhor konsiderohen të rrezikuara nga përmbytjet, temperaturat e larta dhe rrëshqitjet e dherave.

Pjesëmarrësit dakordësuan ndërmarrjen e masave konkrete për identifikimin e rreziqeve, përmirësimin e planifikimit dhe investimin në infrastrukturë më të qëndrueshme, me qëllim reduktimin e dëmeve dhe garantimin e funksionimit të pandërprerë të sistemeve të transportit.

Gjatë takimit u theksua se sfidat klimatike kërkojnë përgjigje të koordinuara ndërmjet institucioneve, operatorëve të transportit dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mënyrë që infrastruktura rrugore dhe hekurudhore të jetë më e përgatitur për përballimin e ngjarjeve ekstreme të së ardhmes.

Pjesëmarrësit vlerësuan se investimi në masa parandaluese dhe në përshtatjen e infrastrukturës me kushtet e reja klimatike është më efektiv dhe më pak i kushtueshëm sesa riparimi i dëmeve pas ndodhjes së tyre.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›