E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi në BE, Guri: Fermerët duhet të përgatiten për kërkesa dhe standarde më të larta

TIRANË, 8 qershor/ATSH-Maela Marini/ Zëvendëministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri zhvilloi sot një seancë dëgjimore, në komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, mbi ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Si pjesë e grupit negociator, Guri bëri një prezantim të ecurisë së negociatave në fushat e bujqësisë dhe zhvillimit rural, sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitetit, si dhe peshkimit dhe akuakulturës.

Guri nënvizoi se Kapitulli 11 është një nga kapitujt më kompleks në aspektin institucional dhe administrativ.

Sipas tij, “ky kapitull nuk mbyllet vetëm përmes miratimit të akteve ligjore, por kërkon aftësi reale për administrimin e fondeve bujqësore sipas standardeve të BE-së”.

Fokusi kryesor, sipas Gurit, lidhet me tri piketat përmbyllëse të këtij kapitulli, që kanë të bëjnë me ngritjen e sistemit të integruar të administrimit dhe kontrollit, me ngritjen dhe funksionalizimin e agjencisë së pagesave sipas standardeve të BE-së dhe forcimin e sistemit të menaxhimit financiar, kontrollit dhe auditimit.

Konkretisht, Guri theksoi se ky kapitull mbetet i rëndësishëm sepse identifikon parcelat bujqësore, administrimin e secilës parcelë dhe asaj që kultivon secili prej fermerëve.

“Aktualisht jemi në pritje të komenteve dhe vlerësimit nga Komisioni Evropian rreth planit që kemi dërguar në 30 prill. Kjo është një punë e vazhdueshme. Aktualisht është kryer digjitalizimi fillestar i parcelave të tokës bujqësore dhe po vazhdon gjithashtu edhe faza e deklarimeve pilot të fermerëve me qëllim testimin e metodologjisë, identifikimin e problemeve praktike përpara se gjithë sistemi të shtrihet në të 150 mijë fermerët, gjë që ne duam ta realizojmë në vitin 2030”, shtoi ai.

Guri theksoi se pa një sistem të besueshëm identifikimi të parcelave nuk mund të ketë një administrim të plotë dhe të verifikueshëm të mbështetjes bujqësore sipas modelit të BE-së.

Zv.ministri i Bujqësisë informoi gjtihashtu se është dërguar për mendim në Komisionin Europian ligji për tregun e produkteve bujqësore, i cili synon të përgatisë sistemin e tregtimit të produkteve bujqësore në përputhje me kërkesat e BE-së.

“Integrimi në tregun e përbashkët nuk kërkon vetëm që të kemi prodhimin, por dhe standardet, identitetin e produktit, gjurmueshmëri dhe rregulla të qarta”, theksoi ai.

Për sa i përket Skemës Kombëtare 2026, Guri informoi se është rishikuar në drejtimin e përafrimit gradual me modelin e politikës së përbashkët bujqësore me BE-në.

“Fermerët duhet të përgatiten për kërkesa më të larta, ndërsa administrata duhet të jetë në gjendje që t’i zbatojë dhe kontrollojë këto kërkesa”, shtoi ai.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›