E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria rritje domethënëse të trafikut ajror të pasagjerëve në maj

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Shqipëria vijon të shënojë rritje të trafikut ajror të pasagjerëve, duke u renditur ndër vendet me performancën më të lartë në Evropë, sipas statistikave të publikuara për performancën e shteteve në transportin ajror për muajin maj 2026, krahasuar me majin 2025.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale tabelën krahasuese, sipas së cilës Shqipëria shënoi një rritje prej 26% të trafikut të pasagjerëve, duke u renditur pas Sllovakisë me 112,8% dhe Maqedonisë së Veriut me 27,4%.

“Maji me rritje domethënëse”, shkroi Rama, duke vlerësuar ecurinë e sektorit të transportit ajror.

Sipas statistikave të referuara, pas Shqipërisë renditen Mali i Zi me 17,8%, Malta me 16,5%, Uzbekistani me 16,2% dhe Estonia me 13,1%, ndërsa disa vende evropiane kanë shënuar rënie të trafikut ajror gjatë së njëjtës periudhë.

Rritja e trafikut në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” pasqyron zgjerimin e lidhjeve ajrore dhe shtimin e numrit të pasagjerëve, në një kohë kur Shqipëria vijon të regjistrojë fluks në rritje të turistëve dhe udhëtarëve ndërkombëtarë.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›