Bizneset shqiptare drejt inovacionit, investime në teknologji për të qenë konkurrues në tregun e BE

Ëmbëlsira, por edhe të kripura pa gluten dhe laktozë. Kjo është formula që prej 3 vitesh Marsela Gurra ka sjellë në tregun vendas, pas një mësimi që mori nga sëmundja e saj.
“Koncepti lindi falë sëmundjes time. Kam qenë e sëmurë me sklerozë multiple dhe falë regjimit pa gluten, pa laktozë kam arritur të shërohem dhe kam dhënë dëshminë time të shërimit në vitin 2020. Më pas kam bërë studimet e mia për nutricion, duke qenë se në atë kohë ndihmoja edhe njerëz të tjerë në këtë rrugëtim, vura re që ata e kishin të vështirë të gjenin produkte pa gluten, pa laktozë në treg. Kështu lindi panja si një nevojë nga mungesa në tregun shqiptar të një produkti të tillë. Menduam që të konceptonim një produkt pa gluten, pa laktozë, artizanal dhe organik”, tha sipërmarrësja Marsela Gurra.
Për shkak të vështirësisë që ka në përgatitje një produkt pa gluten dhe laktozë, Marsela vendosi të investojë në teknologji, me pajisje që ndihmojnë në këtë drejtim.

“Pas disa kohësh, falë mbështetjes, mundëm që disa procese ti lehtësonim, duke ulur koston dhe kohën, duke krijuar një produkt të shëndetshëm dhe me standard europian.”
Përfaqësues nga delegacioni i BE në Shqipëri dhe ambasada e Suedisë theksojnë nevojën që sot kanë ndërmarrjet për tu bërë inovatorë përballë integrimit në BE.

“Ne besojmë se kjo është një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të Shqipërisë në BE, të lejojë të rinjtë të zhvillojnë idetë e tyre, të ketë investime të reja. Kemi parë shumë kompani që janë përshtatur, kanë investuar dhe janë gati për të konkurruar në tregun e BE. Është e rëndësishme për Shqipërinë gjatë këtij tranzicioni që kompanitë të arrijnë standardet. Ne duam të shohim më shumë investime këtu dhe kjo po ndodh”, Erik Illes, shef i zyër së bashkëpunimit për zhvillim, Ambasada e Suedisë.
“Kjo është ajo duam të shohim, kjo është një provë suksesi. Ne shpresojmë që i njëjti sukses do të vijojë edhe në qasjen e qeverisë shqiptare për të mbështetur inovacionin”, Jenni Lundmark, delegacioni i BE në Shqipëri.


Përfitues nga fondi prej 1 milion euro menaxhuar nga Ambasada Suedeze përmes komponentit Challenge Fund të programit EU4Innovation, i bashkëfinancuar nga BE, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim, janë edhe Nikolin Kola, që ka investuar në teknologji në furrën e tij të bukës dhe fermeri Ervin Çeraj, që është ndihmuar për një furrë që than livandon dhe sherebelën gjatë dimrit.
/vizionplus.tv