Shqiptarë sulmojnë brutalisht një italian për t’i grabitur një “Rolex” në Itali

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në shtator në qytetin Meldola të Italisë, ku tre shtetas shqiptarë dyshohet se kanë sulmuar brutalisht një qytetar italian, me qëllim grabitjen e një ore të shtrenjtë të markës “Rolex”.
Sipas mediave italiane, autorët e dyshuar janë të moshës 22, 26 dhe 47 vjeç. Dy prej tyre, që nuk kanë rezidencë të përhershme në Itali, janë arrestuar dhe ndodhen në burg. Ndërsa i treti, banor i zonës së Forlì-t, është vendosur nën arrest shtëpiak.
Ngjarja ndodhi jashtë një klubi nate, në momentin kur viktima po largohej nga lokali. Dy prej agresorëve e pritën jashtë dhe e sulmuan me dhunë ekstreme, duke e goditur vazhdimisht derisa ai ra në tokë. Pas sulmit, autorët i morën orën luksoze dhe u larguan nga vendngjarja.
Viktima përfundoi në spital me plagë serioze dhe fraktura, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia italiane po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të kuptuar nëse pas saj qëndron një grup i organizuar grabitësish.