Shtëpia e Bardhë: Groenlanda, prioritet strategjik – shqyrtohet blerja, opsion edhe ushtria

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka diskutuar një sërë opsionesh për të blerë Groenlandën, përfshirë edhe përdorimin e ushtrisë.
Administrata amerikane e ka cilësuar këtë si një “prioritet të sigurisë kombëtare”, duke theksuar rëndësinë strategjike të ishullit arktik.
Deklarata erdhi pas kundërshtimeve të forta nga Danimarka dhe një grup vendesh evropiane – Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Polonia dhe Spanja – të cilat publikuan një deklaratë të përbashkët duke mbështetur sovranitetin e Groenlandës.
“Grenlanda i përket popullit të saj dhe vetëm Danimarka dhe Groenlanda mund të vendosin për marrëdhëniet e tyre”, thuhej në deklaratë, duke paralajmëruar se siguria në Arktik duhet të trajtohet kolektivisht nga aleatët e NATO-s.
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, mirëpriti mbështetjen evropiane dhe bëri thirrje për “dialog të respektueshëm”, duke theksuar se statusi i Groenlandës është i bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe integritetin territorial. Ndërkohë, banorët e ishullit kanë shprehur shqetësim për retorikën amerikane, duke e parë idenë e blerjes si një kërcënim ndaj identitetit dhe sovranitetit të tyre.
Opsionet e diskutuara nga SHBA përfshijnë blerjen e plotë të Groenlandës ose formimin e një Pakti të Asociimit të Lirë me territorin.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se administrata nuk planifikon pushtim ushtarak, por përmendi mundësinë e blerjes nga Danimarka.
Departamenti i Shtetit shtoi se SHBA-të janë të interesuara për marrëdhënie tregtare të qëndrueshme me Groenlandën.
Interesi amerikan lidhet me pozicionin strategjik të ishullit në Arktik, ku shkrirja e akullit hap rrugë të reja tregtare dhe ku ndodhen depozita të metaleve të rralla. Rusia dhe Kina kanë shfaqur gjithashtu interes të shtuar për rajonin, duke shtuar shqetësimet e Uashingtonit.
Groenlanda, me një popullsi prej rreth 57,000 banorësh, gëzon vetëqeverisje që nga viti 1979, ndërsa mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten në duart e Danimarkës. Megjithëse një pjesë e popullsisë mbështet pavarësinë nga Danimarka, sondazhet tregojnë kundërshtim të gjerë ndaj bashkimit me SHBA-në.
Një zyrtar i lartë amerikan, i paidentifikuar, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se opsionet amerikane përfshinin blerjen e plotë të Grenlandës ose formimin e një Pakti të Asociimit të Lirë me territorin.
Në përgjigje, një zëdhënës i departamentit të shtetit i tha BBC-së të martën se SHBA-të “janë të etura për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme tregtare që u sjellin dobi amerikanëve dhe popullit të Groenlandës”.
“Kundërshtarët tanë të përbashkët kanë qenë gjithnjë e më aktivë në Arktik. Ky është një shqetësim që ndajnë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Danimarkës dhe aleatët e NATO-s”, tha zëdhënësi.
Trump e paraqiti idenë e tij për blerjen e Grenlandës si një qendër strategjike të SHBA-së në Arktik gjatë mandatit të tij të parë presidencial, duke thënë në vitin 2019: “Në thelb është një marrëveshje e madhe pasurish të paluajtshme”.
Ka një interes në rritje nga Rusia dhe Kina për ishullin, i cili ka depozita të pashfrytëzuara të metaleve të rralla, ndërsa shkrirja e akullit ngre mundësinë e rrugëve të reja tregtare.
Në mars, Trump tha se Amerika do të “shkonte aq larg sa të duhej” për të marrë kontrollin e territorit.
/rtsh.al/