Shtetet e Bashkuara e shohin pozitivisht propozimin e Polonisë për një prani të përhershme ushtarake në vend

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara është shprehur i hapur ndaj ofertës së Polonisë për të pritur një prani të përhershme ushtarake amerikane në territorin e saj.
Lajmi u bë i ditur nga Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosciniak-Kamys, pas takimit që zhvilloi sot në Bruksel me homologun e tij amerikan, Pete Hegseth.
Varshava po shtyn me forcë për rritjen e pranisë së forcave aleate të NATO-s në krahun lindor, sidomos pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
“Pata mundësinë të flas sot me Sekretarin e Luftës (Hegseth). Diskutuam për mbrojtjen dhe bashkëpunimin kolektiv. Shtetet e Bashkuara iu përgjigjën pozitivisht propozimit të Polonisë për një bazë ushtarake të përhershme në Poloni,” deklaroi Kosciniak-Kamys për gazetarët.
Megjithatë, ai sqaroi se ende nuk është marrë ndonjë vendim konkret mbi këtë çështje.
Nga ana e tij, Hegseth njoftoi se SHBA-të do të rishikojnë praninë e tyre ushtarake në Europë dhe paralajmëroi aleatët e NATO-s se kontributi i Uashingtonit në buxhetin e saj mund të reduktohet nëse disa vende nuk i përmbushin angazhimet e marra vitin e kaluar për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.
/rtsh.al/