Shteti bektashi, Berisha: Jemi kundër kësaj nisme antikushtetuese edhe antikombëtare

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e konsideroi sot antikushtetuese edhe antikombëtare, nismën për krijimin e shtetit bektashi në Shqipëri.
Në një komunikim në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se PD ka reaguar fuqimisht për këtë çështje.
“Cilido që është i interesuar për reagimet e PD, i sugjeroj t’u referohet deklaratave të mia. Kam qenë në arrest shtëpie kur unë kam ngritur zërin kundër tij – dhe duhet të ketë qenë janari i vitit 2024. Të njëjtin reagim dhe të fortë, PD ka bërë në vitin 2025”, shtoi ai.
Sipas Berishës, ky është një akt në radhë të parë kundër bektashizmit shqiptar, i cili ka qenë dhe është një shtyllë e vërtetë e atdhetarisë.
“Bektashinj ishin Frashërllinjtë, themeluesit e doktrinës së shqiptarisë. Bektashinjtë ishin rezistentët e pamposhtur ndaj pushtimeve dhe diktaturës. Ata kanë gjakun e tyre, besimin e tyre, kontributin e tyre në Shqipërinë e pavarur shtet sovran dhe nuk kanë luftuar kundër për një shtet bektashi. Ata kanë frymëzuar unitetin kombëtar”, tha Berisha.
Kreu i PD-së theksoi se “kjo aventurë vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe me karakterin laik të shtetit shqiptar që nga themelimi i tij gjer sot”.
“Përpiqet të nxisë përçarje fetare në një vend ku toleranca dhe bashkëpunimi fetar është gjëja më madhështore në shpirtin e atij populli. Kërkon të krijojë edhe monedhën Ed, sepse duhet tani të lajë miliardat me një bankë të veçantë, të të ashtuquajturit shtetit sovran apo Vatikanit të dytë. Duke vepruar në verbërinë më të madhe historike. Cilido që njeh historinë e Vatikanit dhe njeh historinë e bektashizmit, kurrë nuk mund të bëjë një krahasim të tillë”, shtoi Berisha.
Por, sipas tij, “bektashizmi shqiptar ka pasur avantazhin e madh të jetë epiqendër botërore, kryegjyshata botërore”.
“Dhe shteti shqiptar, ndonëse në Shqipëri feja është e ndarë nga shteti, duhet të përmbushë çdo lloj detyrimi që i rrjedh ose që mund të kontribuojë në rikthimin apo rinjohjen e kreut të bektashizmit shqiptar si kryegjysh dhe si kryegjyshatë botërore.
Kjo, natyrisht, nuk varet vetëm nga shteti shqiptar. Bektashizmi ekziston në disa shtete dhe janë ato shtete që duhet të pajtohen që bektashinjtë e tyre të kenë epiqendrën e tij në Shqipëri. Pra, bëhet fjalë strikt për një operacion me të cilin Edi Rama do të ketë një shtet për paratë dhe pasaportat diplomatike”, tha ai.
Berisha ritheksoi se “PD ka qenë dhe është e prerë ndaj kësaj nisme antikushtetuese, antishqiptare dhe antikombëtare”.
/m.m/r.e/ /a.g/