E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen të sëmurët me astmë në Korçë, mjeku pneumolog: Duhet kujdes i shtuar gjatë sezonit pranveror

Me ardhjen e pranverës dhe rritjen e nivelit të poleneve në ajër, përkeqësohet gjendja shëndetësore tek personat që vuajnë nga astma. Mjeku pneumolog Samuel Kristo thotë se ka një numër të konsiderueshëm pacientësh që vuajnë nga kjo sëmundje në qytetin e Korçës, ndërsa situata rëndohet veçanërisht gjatë stinës së pranverës që shoqërohet me shtim të simptomave si vështirësi në frymëmarrje, kollë dhe shtrëngim në gjoks.

“Asma shfaqet në goxha raste edhe te fëmijët edhe të rriturit. Të gjithë të sëmurët astmatikë janë të mjekuar ma pompa dhe mjekime të tjera. Ka dhe raste të tjera që agravojnë dhe shtrohen në spital, qoftë edhe nga virozat që e rëndojnë klinikën”, tha mjeku.

Kristo thotë se më të prekur nga astma janë moshat e mesme. Ai shpjegon se cilat janë simptomat të cilat nuk duhen neglizhuar.

“Moshat mesatare janë të prekura, por edhe moshat e reja në fillim të patologjisë sepse është më reaktiv. Simptomat janë mbajtja e frymës, kollë e vazhdueshme, një gjendje e përgjithshme jo e mirë në aparatin respirator”, u shpreh ai.

Mjeku apelon për më shumë kujdes dhe kontroll të rregullt mjekësor, duke theksuar se menaxhimi i duhur i astmës ndihmon në shmangien e komplikacioneve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

Gazetare: G. Manushi  

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›