E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet deri më 19 mars afati i aplikimeve për projektin “LIFT Tower”

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Korporata e Investimeve Shqiptare njoftoi se është shtyrë deri më 19 mars 2026 afati për dorëzimin e aplikimeve në kuadër të procedurës konkurruese për projektin “LIFT Tower”.

Afati i mëparshëm, i shpallur në thirrjen e datës 30 janar, parashikonte dorëzimin e aplikimeve deri më 5 mars, por me vendimin e fundit subjekteve të interesuara u jepet më shumë kohë për përgatitjen dhe paraqitjen e dokumentacionit.

Projekti “LIFT Tower” është pjesë e programit për zhvillimin dhe menaxhimin e godinave shtetërore dhe përfaqëson një nga nismat e para të zbatuara mbi një model të ri bashkëpunimi ndërmjet Korporatës dhe institucioneve publike përfituese.

Në këtë nënprojekt përfshihen Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), Agjencia Shtetërore për Shpronësimin (ASHSH) dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP), të cilat synojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe modernizimin e infrastrukturës së tyre.

Investimi parashikon zhvillimin e pronës në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, me qëllim transformimin e hapësirës dhe ndërtimin e ambienteve bashkëkohore për administratën publike, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve dhe rigjallërimit urban të zonës.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›