Shtyhet për në 10 tetor seanca paraprake në GJKKO për Erion Veliajn

Shtyhet për në datë 10 tetor ora 09:00 seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme për Erion Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë.
Pritet që në seancën paraprake të vendoset nëse dosja do të kalojë ose jo për gjykim.
Në dosjen e dërguar nga SPAK për gjykim, mbi Erion Veliajn rëndojnë 13 akuza, ndërsa mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën, 12 akuza. Akuza përfshijnë korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Sipas hetimeve, Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim, kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme para dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, të cilat nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Veliaj ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për një masë më të butë sigurie, duke shënuar herën e dytë që kundërshton arrestin në burg.
/rtsh.al/