E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shtyhet për në 9 tetor seanca paraprake për dosjen “Meta”. Kryemadhi: SPAK ka intimiduar dëshmitarët

Është shtyrë për në 9 tetor seanca paraprake ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe katër të pandehurve të tjerë në dosjen e SPAK-ut.

Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e avokatit të tij, Kujtim Cakrani, i cili ka depozituar në Sekretarinë e Gjykatës kërkesën si pasojë e problemeve shëndetësore.

E pranishme ka qenë vetëm ish-deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, e cila në një deklaratë për mediet hodhi akuza ndaj SPAK për intimidim dëshmitarësh.

“Mosbërja e hetimit, në thelb, lë shumë shpërdorim nga ana e SPAK në marrëdhënie me procesin e hetimit. Do ballafaqohemi me dokumente, nga letërporositë me dezinformimin që bëhet, qoftë me aktin financiar që është bërë në mënyrë të njëanshme nga SPAK.

Sipas Dumanit, nënës sime i fillon jeta në 2001-shin në Tiranë. Procesi, për të cilin janë qindra mijëra faqe, metodologjia, lë për të dëshiruar. SPAK ka qenë i zënë me intimidimin ndaj dëshmitarëve. Në të gjitha dëshmitë, dëshmitarët kanë thënë të vërtetën”, deklaroi Kryemadhi.

Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta akuzohen për korrupsion pasiv, ndërkohë që s’ka asnjë të arrestuar për korrupsion aktiv.

SPAK-u ka marrë të pandehur edhe Monika Kryemadhin, nënën e saj Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun. Hetimi i SPAK-ut përfshiu tri çështje: aferën CEZ-DIA, lobimet e LSI-së në SHBA dhe verifikimin pasuror të familjes Meta-Kryemadhi.

Meta ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të kaluar, ndërsa Kryemadhi është me detyrim paraqitje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›