E Martë, 3 Nëntor 2026

Shtyhet seanca e parë e dosjes “Partizani” ndaj Berishës dhe Malltezit

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Seanca e parë gjyqësore e parashikuar për t’u mbajtur sot në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” është shtyrë.

Seanca është shtyrë për në datën 21 korrik ora 10:30. Berisha nuk u paraqit në seancë me argumentimin se nuk ishte njoftuar, ndërsa mungoi edhe biznesmeni Fatmir Bektashi.

Dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi i akuzuar për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, u paraqit në seancë. Në një prononcim për gazetarët Malltezi e konsideroi gjykimin për këtë çështje një farsë.

“Sot ka filluar farsa, ne do vazhdojmë”, tha Malltezi pas seancës së sotme.

Ai theksoi se ish-kryeministri Sali Berisha u njoftua vetëm tre ditë para seancës, ndërkohë që policia e kishte në dorë njoftimin që dy javë para.

“Njoftimi për zotin Berisha ka ardhur të premten. Sipas kodit duhej të vinte para 10 ditësh. Që në këtë moment shikojmë që shteti bën farsa. Policia e kishte para 2 javësh. Kishte dy javë kohë që mund ta sillte, e ka sjellë tre ditë para”, tha Malltezi.

Nga ana tjetër gjyqtarja Elsa Ulliri ka paraqitur dorëheqjen e saj nga shqyrtimi i dosjes “Partizani”.

Në këtë dosje ish-kryeministri Berisha akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Nën akuzë për dosjen “Partizani” janë edhe biznesmenin Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhr Andia Pustina.

Në gjykim janë edhe shoqëritë tregtare të përfshira në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

SPAK e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›