E Martë, 3 Nëntor 2026

Situata nga zjarret, 26 vatra të neutralizuara

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 26 vatra zjarri, të cilat janë neutralizuar të gjitha, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren.

AKMC bën me dije se këto vatra zjarri janë evidentuar në qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Lezhës, Shkodrës, Dibrës, Korçës, Tiranës, Kukësit, Durrësit e Beratit.

“Kryesisht zjarret kanë rënë në sipërfaqe me bimësi, ku si pajojë janë djegur rreth 56 hektarë sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte. Në dy raste zjarret janë evidentuar në një biznes dhe në një banesë, ku janë shkaktuar dëme materiale”, thuhet në njoftim.

Në bashkinë e Durrësit, një vatër zjarri e rënë  në një treg industrial shkaktoi  një dëm të konsiderueshëm në mallra dhe pajisje, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të forcave.

“Një tjetër vatër u evidentua në dy puse nafte, në fshatin Kozare, njësia administrative Kozare, bashkia Kuçovë. Në vendngjarje shkuan Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Kuçovë me 2 automjet zjarrfikës dhe 8 efektivë, MZSH Berat me 2 automjete zjarrfikëse me 7 efektivë, 4 forca policore dhe 6 forca bashkiake, të cilët punuan për shuarjen e tij. Si pasojë, u dëmtuan 2 elektromotorë të 2 puseve të naftës. Shkaku i rënies së zjarrit është bërë këputja e telave të tensionit të ulët”, cilësohet në njoftimin e AKMC-së.

Në të gjitha operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 64 automjete zjarrfikëse dhe 449 forca operacionale.

Gjithashtu, nga Forcat e Armatosura u angazhuan 2 automjete zjarrfikëse me 14 efektivë dhe 1 helikopter Cougar.

Sipas parashikimit të Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rrezik “i lartë” në qarqet  Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rrezik “i moderuar”.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile është në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri për të ofruar mbështetje të menjëhershme nëse do të jetë e nevojshme.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›